Hyr

Dieta FODMAP

Reduktimi i karbohidrateve mund të ndihmojë në uljen e shqetësimeve në zorrën e trashë tek disa njerëz, por kjo dietë nuk është për çdokënd.

FODMAP (shqipëruar: oligosakaridet, disakaridet, monosakaridet dhe poliolet e fermentueshëm) janë një grup karbohidratesh dhe fibrash, të rëndësishme në shumë aspekte të shëndetit, që shërbejnë si prebiotik të dobishëm në ushqyerjen e disa mikrobeve të zorrës.

Shumica e njerëzve nuk e kanë problem të konsumojnë ushqime me nivele të larta të FODMAP-eve. Fatkeqësisht, disa njerëz janë të ndjeshëm ndaj tyre dhe mund të kenë nevojë të bëjnë modifikime në dietën për të zvogëluar simptomat gastrointestinale.

Çfarë janë FODMAP-et? Janë grupe karbohidratesh të lidhura zinxhir që nuk absorbohen lehtë nga zorra e hollë. FODMAP-et gjenden në pothuajse të gjitha grupet e ushqimeve, përfshire edhe në ato më të zakonshmit në dietat tona, si qumështi, gruri, hudhra, qepa, molla, shalqiri, dardha, mjalti, lulelakra e kërpudha.

Prania apo mungesa e FODMAP-eve nuk tregon asgjë mbi vlerat ushqyese të produkteve ushqimore (asparagu ka nivel të lartë të FODMAP-eve ndërsa mashurkat kanë një nivel të ulet, paçka se të dyja kanë vlera të ushqyese). Për më tepër, është e pamundur të hamendësosh përmbajtjen e FODMAP-eve në ushqim thjesht duke i parë ose provuar në shije. Për shëmbull, mollët e mjalti kanë nivele të larta të FODMAP-eve ndërsa rrushi e shurupi i panjës kanë nivele të ulëta.

Kontrolli i zorrës: Tek personat e një trakt të ndjeshëm gastrointestinal, këto karbohidrate që nuk përthithen mirë mund të shpien në një lum simptomash të pakëndshme. FODMAP-et që nuk përthithen nga zorra e hollë tërheqin ujë në zorrë duke e zgjeruar atë. Në pacient që kanë një kohë të shpejtë tranziti gastrointestinal, kjo mund të shpjerë në diarre.

Karbohidratet që nuk përthithen mirë mund të shërbejnë gjithashtu si karburant për mikrobiotën e zorrëve. Mikrobet ushqehen nga këto karbohidrate të dobëta duke shkaktuar gazra e kapsllëk. Pacientëtë që vuajnë nga Sindroma e Zorrës së Irrituar mund të jenë në veçanti të ndjeshëm ndaj FODMAP-eve.

Ka një numër simptomash gastrointestinale që pacientët përjetojnë nga kjo sëmundje, si fryrje të stomakut, ndryshime në zakonet e defekimit (diarre, kapsllëk apo një kombinim i të dyjave) dhe dhimbje të barkut.

Këto simptoma të sëmundjeve gastrointestinale u bashkangjiten një sërë problemeve të tjera si sëmundjes së celiakisë, asaj inflamatore të zorrëve, urthit dhe refluksit ezofaegal. Rekomandohet punë e vazhdueshme me mjekun e përgjithshëm ose gastroenterologun për të marrë ekzaminimin dhe diagnozën e duhur për simptomat gastrointestinale që mund të keni, në mënyrë që të mund t'ju jepet një trajtim i përshtatshëm. Nuk duhet kurrë të diagnostifikoni apo të trajtoni vetveten.

DIETA ME NIVEL TË ULËT TË FODMAP-eve: Dieta me nivel të ulët të FODMAP-eve u krijua, dhe vazhdon të studiohet e përditësohet, nga disa studiues Australianë në Universitetin e Monashit. Nuk ka një analizë mjekësore të ndjeshmërisë ndaj FODMAP-eve. Sapo të jetë përjashtuar mundësia e prekjes nga sëmundje të tjera të tretjes nga ana e një gastoenterologu, mund t'i referoheni një dietologu për të filluar një dietë pa përmbajtje FODMAP-esh.

Kjo dietë është e përbërë prej tre fazash: eliminim, rivendosje dhe individualizim. Faza eliminuese zgjat dy deri në gjashtë javë. Pasi të ketë përmirësim të simptomave, dietologu do t'ju udhëzojë nisjen e fazës tjetër, ku rivendosen grupet ushqimore me përmbajtje të FODMAP-eve në dietë dhe pastaj kalohet në individualizimin e dietës më lirshmëri sa më të madhe zgjedhjesh të mundshme.

NDIQE POR ME KUJDES: Dietat pa FODMAP-e nuk janë bërë për tu ndjekur në mënyrë afatgjatë dhe mund të çojnë në mungesa të lëndëve ushqyese. Me kalimin e kohës, ushqime duhet të shtohen për të lejuar zgjedhje të ushqimeve të preferuara.

Kjo dietë ka shumë nuanca dhe ndjekja e saj mund të jetë e ndërlikuar pa udhezimet e duhura. Për disa pacientë, një dietë me nivel të ulët të FODMAP-eve mund të mos jetë e përshatshme.

Është përgjithësisht i pranuar fakti se një dietë me nivel të ulët të FODMAP-eve mund të shpjerë në reduktimin ose zbutjen e simptomave të Sindromës së Zorrës së Irrituar, por studimi mbi këtë temë është ende i pakët.

Një studim i vitit 2018, botuar në Revistën Amerikane të Gastroenterologjisë, pohoi se dieta me nivel të ulët të FODMAP-eve ishte efektive në trajtimin e simptomave të Sindromës së Zorrës së Irrituar, por theksoi se provat mbi këtë studim ishin të një cilësie të dobët. Autorët e këtij studimi tregojnë se e vlersojnë kështu këtë hulumtim për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve dhe mundësisë së efektit placebo, duke qënë se pjesëmarrësit e dinin mjaftë mirë nëse po ushqeheshin me një dietë të ulët në FODMAP-e apo jo. Për më tepër, edhe kohëzgjatja e studimit ishte e shkurtër.

Një dietë me nivel të ulët të FODMAP-eve është, në përgjithësi, e ulët në fibra dietik, një përbërës ushqimor bioaktiv i rëndësishëm që promovon shëndetin. Kjo dietë është komplekse e mund të çojë në marrje të një numri të ulët kalorish si dhe mund të zvogëlojë përqëndrimin e mikrobeve të dobishme në zorrë.

Është një diete, gjithashtu, e vështire për tu ndjekur nga veganët e vegjetarjanët, si dhe me shumë mundësi e dëmshme për personat me diabet dhe ata me çrregullime të të ushqyerit.

Kjo dietë është një ndërhyrje efektive për të sëmurët me sindromen e zorrës së irrituar, por nuk mund të merret përsipër pa udhëzime nga profesionist të të ushqyerit. Nëse jeni të diagnostifikuar me Sindromën e Zorrës së Irrituar, dieta me nivel të ulet të FODMAP-eve mund të luajë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e simptomave, bashkëngjitur terapive tradicionale mjekësore.